Tuesday, July 6, 2010

Eros Ramazzotti më 30 korrik në Prishtinë

Në agjendën e turneut veror të këngëtarit me nam Eros Ramazzotti, për herë të parë është edhe shteti më i ri në botë. Këngëtari italian ka rezervuar datën 30 korrik për koncertin e tij në Kosovë, nikoqir i të cilit do të jetë stadiumi i Prishtinës.

Ramazzotti do të “zbarkojë” në kryeqytet vetëm tri ditë pas koncertit në Palermo, për të “fluturuar më pas” drejt Cagliarit. Data e koncertit në Prishtinë tashmë është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të këngëtarit.

Eros Luciano Walter Ramazzotti, i njohur shkurt si Eros Ramazzotti, do të jetë në “dispozicion” të adhuruesve të tij shqiptarë për fiks dy orë e gjysmë. Këngëtari 46-vjeçar do të ngjitet në skenë për të kënduar live megahitet e tij si, “Parla con mei”, “I belong to you”, “Terra promesa”, “Piú bella cosa” “Fuoco nel fuoco”, “Se bastasse una canzone”, “Solo un volo”.

Këngëtari italian do të ngjitet në skenën e stadiumit të Prishtinës duke iu “bindur” një dëshire të vetme të organizatorit – gjatë performancës të mbajë në kokë një plis, si simbol identifikues të shqiptarëve.

Eros Ramazzotti është kantautor italian i cili gjatë karrierës së tij 25-vjeçare ka realizuar 14 albume. Albumet e Ramazzottit janë shitur në mbi 50 milionë kopje. Ramazzotti është i njohur për bashkëpunimet e tij me këngëtarë si Tina Turner, Anastacia, Luciano Pavarotti, Laura Pausini, Ricky Martin etj.

Çmimi i biletës do t’i përshtatet standardit të Kosovës dhe do të jetë mjaft i arsyeshëm, me fjalë tjera ai nuk do ta kaloj shifrën prej 15 eurosh. Sponsorë medial të koncertit janë “Koha Ditore”, “Kohavision dhe “Radio Blue Sky”.

No comments:

Post a Comment