Saturday, July 3, 2010

Gjermania shkel Argjentinën


Gjermania ka depërtuar për në gjysmëfinale të Kupës së Botës pasi shkeli kombëtaren e Argjentinës në çerekfinalen e zhvilluar në stadiumin Green Point në Cape Town.

Të zgjedhurit e trajnerit Joachim Low bënë një paraqitje të shkëlqyeshme dhe një futboll sulmues për të shënuar plot katër gola, tre prej të cilëve në pjesën e dytë të ndeshjes.

Gjermanët kaluan në epërsi që në minutën e tretë, kur Thomas Muller shënoi me kokë pas një harkimi nga gjuajtja e lirë e Bastian Schweinsteiger.

Edhe pse pati avantazh të hershëm Gjermania refuzoi të shkojë në mbrojtje, duke bërë presion të vazhdueshëm në pjesën e Argjentinës dhe duke qenë shumë afër dyfishimit të rezultatin përmes Sami Khedira dhe Miroslav Klose.

Pikërisht Klose, i cili bëri paraqitjen e tij të 100-të në garat ndërkombëtare, shënoi dy gola në pjesën e dytë (68’ dhe 89’), për të futur në sandviç golin e parë në gara ndërkombëtare të Arne Friedrich (74’).

Argjentina tentoi të gjejë portën kryesisht me anë të sulmuesit Lionel Messi, por vazhdimisht mbyllej nga dy ose tre mbrojtës gjermanë.

Gjermania tash llogaritet si favorite për të fituar titullit e kampionit të Botës, pasi pas ndeshjes së kaluar kur shkatërroi edhe një favorit tjetër, Anglinë, me rezultat 4-1, tash bëri një paraqitje edhe më impresive për të deklasuar ekipin e trajnerit Diego Maradona.

Në gjysmëfinale gjermanët do të takohen me fituesin e çerekfinales tjetër të sotme, Paraguain ose Spanjën. Gjysmëfinalja tjetër është ajo në mes të Holandës dhe Uruguait.

No comments:

Post a Comment