Friday, July 2, 2010

Holanda ka përmbysur disavantazhin e pjesës së parë duke fituar 2-1 ndaj Seleçaos dhe duke kaluar në 4 më të mirat e botërorit



“Samba” braziliane është ndalur në refrenin më të bukur të botërorit, nga një Holandë epike e cila nuk është dekurajuar kurrë gjatë 90 minutave duke eliminuar 5 herë kampionët e botës në futboll. Brazili e sheh veten jashtë botërorit afrikan pas humbjes 2-1 ndaj “tulipanëve” të cilët vuajtën disavantazhin në fraksionin e parë të lojës.

Në një prej 90 minutëshve më dramatikë në këtë turne, “tulipanët e trajnerit Van Marvijk kanë vendosur krenarinë në fushë duke u imponuar në fërshëllimën e trefishtë të arbitrit japonez 2-1, edhe pse rezultati mund të ishte më i thellë. Në ndeshjen e luajtur në Port Elisabeth ishin brazilianët që kaluan të parët në avantazh kur një asist i Felipe Melos është finalizuar në rrjetë nga Robinho, që goditi pa e parë portën fare. Seleçao mbajti më shumë topin edhe në minutat e mbetura të pjesës së parë ndërsa Stekelenburg u desh të bëjë mrekullinë në një goditje të Kaka’.

Në pjesën e dytë Holanda gjeti golin e avantazhit kur një mosmarrëveshje e Melo dhe portierit Cesar, solli golin e Sneijder nga një e majtë në krah. Entuziazmi i holandezëve arriti kulmin dhe goli i dytë nuk vonoi. Në zhvillimet e një goditje këndi, topi u prek me kokë në fillim nga Kuyt dhe më pas Sneijder u bë heroi i tulipanëve duke shënuar, po me kokë.

Brazili ra pre e nervozizmit dhe Melo la fushën me karton të kuq, pas një shkelmi në dëm të Robben. Në sekondat finale Huntelaar shpërdoiroi një rast flagrant për 3-1, por Holanda mundi të mbajë rezultatin në 2-1 duke u kualifikuar.

No comments:

Post a Comment